Zëdhënësi i PDK-së: Agoni mund të kishte shpëtuar, po të merreshin parasysh rekomandimet e PDK-së

Vdekja e 26 vjeçarit nga Gjilani që u hodh nga kati i katërt i konvikteve, sipas zëdhënësit të PDK-së, Avni Bytyçit, do të mund të mos kishte ndodhur.

Kjo, nëse sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të merrte parasysh rekomandimet e PDK-së.

“Agoni edhe mund të ishte shpetuar!Albin Kurti në reagimin e fundit e paska gjetur fajtorin për dështimin e tij politik në kohë pandemie, edhe për shkeljen e Kushtetutës dhe çdo dështim tjetër.Na qenka opozita, e cila sipas tij e paska penguar punën e Kuvendit dhe rrjedhimisht punën e Qeverisë në detyrë dhe të Ministrit të Shëndetësisë.

Një tentim i neveritshëm i një politikani që tanimë është mësuar të sakrifikoj jetë njerëzish për interesat e tij meskine për të ardhur në pushtet por edhe për ta mbajtur pushtetin.Sikur t’i kishte marrë parasysh rekomandimet e Partisë Demokratike të Kosovës për shtimin e testeve, ngritjen e kapaciteteve të karantinimit si dhe menaxhimin e situatës në tërësi, sot Agoni, ndoshta do të ishte në mesin e familjarëve të tij.

Vdekja e një qytetari të këtij vendi, në kohë pandemie është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucioneve. Qytetari e humbi jetën vetëm pse nuk kishte librezë partie për të shmangur karantinimin, edhe pse kishte dokumentin për gjendjen e rënduar shëndetësore.Hetimi i menjëhershëm dhe i paanshëm është i domosdoshëm që të vihet drejtësi për Agonin dhe familjen e tij!”, ka thënë Bytyçi.