Zemaj pretendon se arrestimi i drejtorit të KEK-ut lidhet me aferën e ambasadorit Martin Berishaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, lidhur me arrestimin e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit, thotë që këto ngjarje nuk janë të freskëta në kuptimin e mospublikimit me atë se çfarë ka ndodhur në korporatë gjatë dy viteve të Qeverisjes Kurti.

Zemaj ka thënë se sot ka pasur një zhvillim, që sipas tij ka treguar që disa individë të Lëvizjes Vetëvendosje janë të zhytur në korrupsion masiv.

“Këto ngjarje nuk janë të freskëta në kuptimin e mospublikimit se çfarë po ndodhë në Korporatën Energjetike të Kosovës në këto dy vitet e fundit. Sot, duket që ka pasur një zhvillim, i cili tregon fytyrën e vërtetë të disa individëve që kanë luajtur në kohë të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme herë duke u paraqitur ekspert të menaxhimit të sektorit të energjisë, herë duke u paraqitur si drejtues, dhe dikur si politikanë të shtitur nga Lëvizja Vetëvendosje si shpëtues të KEK-ut, por tash po na dalin të zhytur pothuajse në korrupsion edhe në atë në korrupsion masiv”, tha deputeti në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Sipas Zemajt, rëndësi ka që një person i Qeverisë Kurti i mbështetur nga ministra dhe deputetë, që siç e quan ai për shkak të militantizmit partiak, e jo të dëshirës është i arrestuar si i dyshuar për korrupsion.

“Është edhe një gjë tjetër, sepse këtu është involvuar edhe KESCO, është dhënë një shumë e madhe buxhetore për të blerë, për të importuar energji pa miratim të bordit. Këto gjëra duhet t’i sqarojë hetuesia dhe ta thotë fjalën e vet sa më shpejtë. Por siç duket ka diçka se një njeri sot është i arrestuar dhe ai është kryeshefi i KEK-ut, njeriu i cili ka udhëhequr komitetin politik për energji në Lëvizjen Vetëvendosje dhe i cili është këshilluar nga anëtarë dhe këshilltarë politikë të VV-së, dhe përzgjedhja e tyre është në vijë puro-politike dhe puro-partiake. Rëndësi ka që një njeri i Qeverisë Kurti i mbështetur nga ministrja e energjisë, i mbështetur nga shumë deputetë edhe në forma të ndryshme ndoshta edhe për shkak të militantizmit partiak, por jo të asaj dëshirës e kemi të arrestuar dhe është i dyshuar për korrupsion”, ka thënë ish-ministri i Shëndetësisë.

Zemaj pretendon se arrestimi i drejtorit të KEK-ut lidhet me aferën e ambasadorit Martin Berishaj.

“Mos të harrojmë që kjo kishte një ndërlidhje tjetër me aferën ndoshta atyre nuk po ju pëlqen, por blerjet e energjisë që kanë ndodhë në Kosovë, dhe në vitet e fundit ose afera që ishte me ambasadorin Martin Berishaj, diku ka lidhshmëri, kishte dyshime që a është taku ky person me personat e tretë për blerje të energjisë, është një temë e cila po qarkullon jo vetëm këtu, por edhe në vendet evropiane”, tha ai.