Zemaj: Qytetarëve të Shqipërisë dhe atyre të Luginës nuk u duhen teste të COVID-19 për të hyrë në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka takuar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, të cilit ia ka konfirmuar se qytetarëve të Shqipërisë nuk do t’iu kërkohet testi për COVID-19 kur hyjnë në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është bazuar në parim të reciprocitetit dhe si rrjedhojë nuk do të kërkohen testime nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë dhe as nga bashkëqytetarët nga Lugina e Preshevës, transmeton Fokusi.info.

“Bashkë me ambasadorin Minxhozi, u zotuam që do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve!”, ka shkruar Zemaj.