Zemaj tregon pse ndodhën vonesat me vaksinën anti-COVID

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj ka folur për pandeminë dhe për vonesat e ardhjes së vaksinave antiCovid në Kosovë, ai po e sheh periudhën mars-maj kohën kur do të ndodhë vaksinimi në Kosovë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një intervistë për klankosova.tv ku flet për ballafaqimin njëvjeçar me COVID-19 thotë se Kosova ka qenë dhe mbetet shembull se si menaxhohet pandemia.

Derisa Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk ka nisur me procesin e vaksinimit kundër koronavirusit, i pari i shëndetësisë ka thënë se vaksinat kundër COVID-19 do të vijnë në periudhën mars-maj.

U premtua se këto vaksina do të vijnë në muajin shkurt dhe një gjë e tillë nuk ndodhi, por Zemaj nuk fajëson ministrinë që ai drejton e as institucionet tjera. Ai thotë se organizatat ndërkombëtare dhe vendet mike s’kanë bërë krejt çka munden që Kosova të marrë shpejt vaksinat kundër COVID-19.

“Po presim realizimin e ardhjes. Shkurti ishte një datë e konfirmuar se arrijnë vaksinat. Në periudhën mars-maj, COVAX ka njoftuar se do të shpërndahen për Kosovën 100 800 vaksina, por vazhdojmë tutje të jemi të angazhuar edhe me partneritete të tjera, me shtetet mike, me Pfizer dhe prodhuesit e tjerë të vaksinave për të siguruar sa më shumë vaksinat kundër COVID-19. Fakti që deri tash nuk i kishim vaksinat nuk kishte të bënte as me buxhetin, as me mungesë angazhimi dhe aq më pak me mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve të kërkuara nga secili prodhues dhe shtet, që të kualifikohemi për ta siguruar vaksinën. Madje, as një projekt i vetëm që lidhet me COVID-19 nuk ka mbetur pa u realizuar për mungesë buxheti, pavarësisht rrethanave”, ka thënë Zemaj.