Zëri i Amerikës: Rusia ia dha rreth gysmë milioni dollarë PD-së në Shqipëri, përmes disa kompanive

Një zyrtar i lartë i administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikur një pjesë të raportit të shërbimeve të inteligjencës amerikane, se që nga viti 2014, Rusia ka paguar më shumë se 300 milionë dollarë për partitë politike, zyrtarët dhe politikanët në më shumë se njëzet vende të botës – si pjesë e përpjekjeve të Moskës për të fituar ndikim jashtë vendit.

Në këtë raport, sipas burimit të ‘Zërit të Amerikës’, në listën e partive politike që kanë përfituar një shumë të konsiderueshme parash nga Rusia bënë pjesë edhe Partia Demokratike e Shqipërisë.

“Në Shqipëri pamë që në vitin 2017 Rusia i dha Partisë Demokratike rreth gjysmë milioni dollarë përmes kompanive që mbulojnë aktivitete të paligjshme”, transmeton ‘Zëri i Amerikës’.

Financim nga Rusia ka pranuar edhe formacioni politik proserb ‘Fronti Demokratik’, i cili është duke negociuar për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.

“Bashkëpunëtorët e Oleg Deripaskas i dhanë fonde ‘Frontit Demokratik’ në vitin 2016 dhe ndoshta para zgjedhjeve të 2018-ës përmes kontratave joadekuate dhe kompanive ‘offshore’”.

Ngjashëm ka përfituar edhe anëtari i Presidencës trepalëshe në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, të cilit iu është financuar fushata presidenciale.

“Komuniteti i inteligjencës ka shënuar një rritje të atij aktiviteti nga viti 2014 e deri më sot. Ndër shembujt e paraqitur, në Bosnje, përpara zgjedhjeve të 2018-ës, Konstantin Malofejev ndihmoi fshehurazi në financimin e fushatës presidenciale të Milorad Dodik”.

“Ky shembull tregon se Rusia nuk e përmbushi premtimin e saj për të investuar në zhvillimin ekonomik të Republikës Srpska, por përkundrazi mundësoi korrupsionin e partisë në pushtet dhe krijoi kushte të pabarabarta për partitë opozitare”.

Të gjitha këto në sytë e zyrtarit amerikan janë përpjekje e Rusisë për të manipuluar demokracitë nga brenda dhe se “rusët po përpiqen të favorizojnë disa parti politike dhe të minojnë demokracinë në të gjitha ato vende”.

Kush është Oleg Deripaska?

Oleg Deripaska është një oligark rus i afërt me presidentin Vladimir Putin, i cili përflitet se ka lidhje të forta në sferën publike dhe të biznesit britanik dhe rus.

Ai është themelues dhe pronar i disa kompanive, duke përfshirë kompaninë e dytë më të madhe të aluminit në botë, Rusal.

Që nga prilli 2018, ai ka qenë në listën e shtetasve rusë të sanksionuar të Thesarit të SHBA-së dhe vendeve të tjera që janë shtrënguar ndërkohë – hera e fundit pas pushtimit rus të Ukrainës.

Nga rruga, gjatë karrierës së tij, Deripaska ishte i lidhur edhe me Paul Manafort , i cili drejtoi fushatën zgjedhore të ish-presidentit Donald Trump, para zgjedhjeve të vitit 2016 dhe në vitin 2018 ai u dënua për evazion fiskal dhe mashtrim bankar.

Kush është Konstantin Malofeev?

Konstantin Malofeev është një oligark rus dhe president i organizatës joqeveritare pro-anarkiste “Shoqëria për zhvillimin e arsimit historik rus Shqiponja dykrenare”.

Në prill 2022, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti një padi kundër Malofeev për shkelje të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Malofeyev është manjati i parë rus që goditet nga gjyqësori amerikan që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Malofeyev është pronar i një kanali televiziv konservator ortodoks-kristian që mbështet presidentin rus Vladimir Putin.