Zgjedhjet e parakohshme, Bajqinovci-Hotit: Po ia lehtësoni punën Vuçiqit për ta rrëzuar Kurtin

“Me gjasë duhet të përgatitemi për zgjedhje të parakohshme”, tha sot deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci duke thënë se opozita po ia lehtëson punën Vuçiqit, për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Deklaratat e tilla të Hotit, Bajqinovci i quan absurde teksa thotë se duhet të bëhen bashkë që Serbisë t’i qëndrojnë përballë, sepse siç e cek ai, Kosova është në të drejtën e vet.

Reagimi i plotë:

Avdullah Hoti po kërkuaka zgjedhje. Në kohën kur Vuçiqi po e dëshiron me çdo kusht rrëzimin e Albinit, opozita po përkujdeset për metodat se si t’ja mundësojnë më lehtë.

Ish-kryeministri i paligjshëm edhe më parë ka pasur deklarata absurde: thoshte se asnjë votë e LDK-së nuk kalon në Vetëvendosje; pastaj thoshte se Vetëvendosje do të zhduket si parti etj.

Edhe kjo deklaratë e tij për zgjedhje është e një kategorie të tillë.

Deputeti Hoti është mirë të përgatitet, por jo për zgjedhje. Ai së bashku me të tjerët duhet të përgatiten që Serbisë t’i qëndrojmë përballë sepse jemi në të drejtën tonë.

Çfarëdo qëndrimi jashtë këtij kuadri, është në dobi e në shërbim të Vuçiqit. Deputeti Hoti, partia e tij dhe të tjerët nga opozita duhet t’i shmangen atij rreshti. Në të kundërt, populli i bën që ta harrojnë 12%-shin!