Zharku: Lekaj s’ka bagazh profesional e karakter për punën që bën

Sipas ish-ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharku, ministri aktual Pal Lekaj nuk ka as bagazh profesional e as karakter për punën që bën.

Në Puls të KTV-së, Zharku ka thënë se “Lekaj s’ka lidhje me punën që bën”.

“Për ta vlerësuar një politikan janë dy parakushte: Bagazhi profesional dhe karakteri personal i një njeriu. Bagazhi profesional i tij s’është askund me këtë punë. Ai aty është sepse është i AAK-së. Ai s’ka lidhje me këtë punë. Në karakterin e tij ka ndodh dy herë brenda dite me shpif kundër meje e më pas i mohon shpifjet. Çfarë kredibiliteti ka ai të flasë për dikë kur në anën tjetër ka akuzë për keqpërdorime nga mandati në Gjakovë”, ka thënë Zharku.

Tutje, deputeti Zharku, që ka qenë edhe ish-ministër i Infrastrukturës, ka akuzuar Pal Lekajn dhe qeverinë Haradinaj në përgjithësi se po orienton investimet instrastrukturore vetëm në komuna ku ajo udhëheqë.

“Në njëfarë mase ne të gjithë jemi politikanë dhe mund të kuptojmë se mund të anohet. Por kjo që po ndodh me këtë qeveri nuk është absolutisht në rregull”, ka thënë Zharku.

Ai ka përmendur neglizhencën që Ministria e Infrastrukturës ka bërë për pjesën e magjistrales Prishtinë – Podujevë. Pastaj, sipas tij, në Lipjan, MI-ja i ka anuluar të gjitha projektet, ndërsa në Kaçanik një rrugë 2 kilometra nuk po e shtron.

“Ose për shkak se unë jam nga Kaçaniku, ose pse ka ndonjë averzion ndaj kaçanikasve:, ka thënë ai.

“Le t’i pyet vetëm kryetarët e komunave që kanë ardhur nga AAK-ja, në kohën sa unë kam qenë ministër i Infrastrukturës, dhe e kupton se si duhet të punohet”, ka thënë ai.