Zhvillime në Hagë: Dorëhiqet ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit në Speciale

Alex Whiting i cili e ka ushtruar detyrën e kryeprokurorit të Specializuar, është larguar nga në Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë. Ai i është bashkangjitur ekipit të Jack Smith në gjykimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, shkruan Gazeta Metro.

Siç ka raportuar Politico Prokurori i posaçëm Jack Smith ka shtuar një prokuror për krimet e luftës i cili shërbeu si zëvendës i Smith gjatë qëndrimit të tij në Hagë, në ekipin e tij ndërsa përgatitet të gjykojë ish-presidentin Donald Trump në Washington dhe Florida.

Alex Whiting punoi së bashku me Smith për tre vjet, duke ndihmuar në ndjekjen penale të krimeve kundër njerëzimit që ndodhën në Kosovë në fund të viteve 1990.

Nga viti 2018 deri në vitin 2022, Smith shërbeu si kryeprokuror në Dhomën e Specializuar të Kosovës në Hagë. Whiting mori përkohësisht atë zyrë vitin e kaluar.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto pretendime janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, të hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Ky raport, në fakt, i ka hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës, në vitin 2015.

Whiting është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Në ZPS ishe që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, kurse nga muaji gusht 2020 punoi si Zëvendës Prokuror i Specializuar.

Midis viteve 2010 dhe 2013, ai ishte pjesë e Zyrës së Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ndërsa në periudhën midis viteve 2002 dhe 2007, kishte punuar në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë. Gjatë asaj kohe kishte qenë kryeprokurori i çështjes në procesin kundër ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, si dhe kryeprokuror në gjykimet ndaj serbit nga Kroacia Milan Martiç dhe serbit nga Bosnia, Dragomir Milosheviç.

Pranë Gjykatës Speciale deri më tani janë ngritur disa aktakuza dhe disa procese gjyqësore tashmë janë duke u zhvilluar.

Në mesin e të akuzuarve, të cilët ende presin fillimin e gjykimit, janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, edhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Ata gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.