Zhvillimet e fundit politike, PDK e AAK aktivizohen përmes konferencave për media

Për taksën, dialogun e marrëdhëniet me SHBA-të, opozita në Kosovë do të aktivizohet ditën e fundit të javës. 

Partia Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë paralajmëruar konferencë për media, shkruan lajmi.net.

E para që do të dal para mediave do të jetë Partia Demokratike e Kosovës, në konferencën që është thirrur për në orën 11:00 në selinë e partisë.

Ndonëse nuk është bërë e ditur se kush do t’iu drejtohet mediave, pritet që PDK të dalë me një qëndrim lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

E ndryshe nga PDK, AAK ka bërë të ditur edhe temën për të cilën e kanë thirrur konferencën për media.

Aty është bërë e ditur se do të flasë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj lidhur me dialogun me Serbinë, që ndërlidhet me taksën dhe veprimet e fundit të qeverisë Kurti.

PDK dhe AAK ani pse të dyja në bllok opozitar, aktualisht kanë qëndrime të kundërta për taksën.

Partia e Haradinajt po kërkon me ngulm që taksa e vënë pikërisht nga qeveria që drejtohej nga ta,  të mbetet në fuqi si masë e kundërpërgjigjes ndaj Serbisë, teksa PDK tanimë e ka bërë të ditur pozicionin e saj për pezullimin e përkohshëm të taksës si shenjë e vullnetit për ta respektuar kërkesën e SHBA-ve si dhe për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë.

Sidoqoftë, jo veç opozita nuk po dakordohet për taksën. Edhe në Qeverinë Kurti ka mosmarrëveshje për çështjen në fjalë.

Pozicioni i LDK-së në këtë aspekt është i qartë se duhet të ndëgjohen këshillat e SHBA-ve dhe taksa të hiqet pa kushte, gjë që po kundërshtohet nga kreu i qeverisë, Albin Kurti i cili e ka propozuar heqjen e pjesshme të taksës që më vonë do të zëvendësohet me reciprocitet.

E ndërsa përplasjet në skenën politike në Kosovë po vazhdojnë, nga dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë këtyre dy muajve, në Kosovë kanë hyrë rreht 730 mijë euro mallra nga Serbia.