SHBA vendos sanksione ndaj zyrtarëve të GJNP-së që hetojnë krimet e luftës në Afganistan

Administrata amerikane do të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), të cilët hetojnë akuzat për krime lufte të kryera nga ushtarët amerikanë në Afganistan, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë shtypi në Departamentin e Shtetit, sekretari Mike Pompeo deklaroi se sanksionet kanë në shënjestër Prokuroren e Përgjithshme të GJNP-së Fatao Bensouda dhe Shefin e Komplementaritetit dhe Bashkëpunimit Phakiso Mochochoko.

Duke e përshkruar GJNP-në si “institucion plotësisht të korruptuar”, Pompeo tha se “SHBA-ja nuk do të tolerojë që përpjekjet e paligjshme të GJNP-së t’i nënshtrojnë amerikanët në juridiksionin e saj”.

Pompeo gjithashtu tha se njerëzit dhe organizatat që mbështesin Bensouda-n dhe Mochochoko-n po ashtu mund të sanksionohen.

Ndryshe, GJNP-ja në mars ka autorizuar një hetim mbi pretendimet për krime lufte në Afganistan, duke shkaktuar reagime nga administrata amerikane.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi një dekret në qershor, duke urdhëruar disa sanksione për zyrtarët e GJNP-së, përfshirë ngrirjen e pasurive të tyre në SHBA dhe ndalesën e hyrjes në vend.