Zjarrfikësi vullnetar nga Shkupi nxitoi për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë

Pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë, Artan Demiri nga Shkupi, themelues i grupit “Zjarrfikësit Vullnetarë”, po ndihmon në aktivitetet e kërkim-shpëtimit së bashku me anëtarët e tjerë të këtij grupi.

Demiri, i cili prej 23 vitesh merret me shitjen e automjeteve, vendosi të themelojë grupin para dhjetë vitesh me qëllimin për të ndihmuar njerëzit në gjendje të vështirë, ndërsa iniciativën e mbështetën edhe miqtë e tij.

Edhe pse në fillim në grup gjendeshin shumë pak njerëz, në periudhën që vijoi ai arriti deri në 380 anëtarë.

“Zjarrfikësit Vullnetarë” deri para një viti shkonin për të intervenuar në raste zjarresh, tërmetesh apo shembjesh me automjetet e tyre personale, por, të ballafaquar me vështirësi, ata vendosën të blejnë një kamion nga Zvicra për 18 mijë franga zvicerane, të cilin e shndërruan në makinë zjarrfikëse.

Brenda një viti të fundit, grupi ka intervenuar në pesë zjarre dhe një rast shembjeje, ndërsa nuk ngurruan për të ndihmuar edhe në Shqipërinë e goditur nga tërmeti me magnitudë prej 6,3 ballësh.

Me automjetin e tyre në të cilin është shkruar “Zjarrfikësit Vullnetarë” në katër gjuhë të ndryshme, ata nxitojnë për t’u dalë në ndihmë njerëzve në gjendje të vështirë, qoftë në Maqedoninë e Veriut, qoftë në vende të tjera.

Në një prononcim për AA, Demiri, i cili së bashku me katër shokët e tij vullnetar ishte aktiv në punimet e kërkim-shpëtimit në hotelin e rrënuar në qytetin e Durrësit, tha se kishin vendosur të shkonin në Shqipëri me të marrë lajmin për tërmetin.

Demiri theksoi se ndihmojnë me spërkatje me ujë gjatë heqjes së rrënijave dhe shtoi se bashkëpunojnë edhe me ekipet e Autoritetit Turk për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD), të cilët erdhën në Shqipëri pas tërmetit.

“AFAD erdhi nga Ankaraja për të ndihmuar. Ne po punojmë së bashku për të ndihmuar”, tha ai.

Duke folur për projektin e tij “Zjarrfikësit Vullnetarë”, Demiri u shpreh: “Këtë e bëmë për hirë të Zotit. Mendoj se është e nevojshme të ndihmohet”.

Demiri tha se aktualisht aktivitetet i zhvillojnë në kuadër të Komunës së Çairit në Shkup dhe se nga 380 anëtarët e grupit, vetëm 20 janë me profesion zjarrfikës.