Zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë dyshohet se u shkaktua nga një cigare

Shtëpia e pleqve në Prishtinë mbrëmë është përfshirë nga zjarri. Nga shpërthimi i zjarrit fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të vështirësisë të frymëmarrjes nga tymi.

“Dje rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën “Afrim Loxha” në Prishtinë, saktësisht në shtëpinë e pleqve. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Zjarri është lokalizuar dhe bazuar në informatat e deritanishme, raportohet për persona që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështirësisë së frymëmarrjes nga tymi”, ka thënë Ahmeti.

Pas incidentit të zjarrit i cili ndodhi në Shtëpinë e të Moshuarve, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren Jehona Lushaku dhe ekipin përkatëse të drejtorëve, vizituan vendin e ngjarje.