ZPV i rekomandon gjyqtarit paraprak që të pranojë pesë aplikantë si viktima pjesëmarrëse në rastin e Salih Mustafës

Prishtinë – Përmes një shkrese drejtuar gjyqtarit paraprak, Zyra për Pjesëmarrje të Viktimave (ZPV) ka kërkuar që të pranohen pesë aplikantë si viktima pjesëmarrëse, në rastin ku Salih Mustafa po akuzohet për krime lufte.

Gjithashtu, ZPV ka kërkuar që për të njëjtit të caktohen edhe masa mbrojtëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.Sipas ZPV-së, aplikanti viktima 06/05 pretendon se ka pësuar dëmtim fizik dhe mendor dhe viktima-05/05 pretendon se ka pësuar dëmtim mendor, ndërkaq asnjë nga aplikuesit nuk ka paraqitur ndonjë dokument mbështetës mbi dëmin.

Në bazë të kësaj shkrese, aplikantët Viktima-07/05, Viktima-08/05 dhe Viktima-09/05 janë të përkatësisë etnike shqiptare dhe pretendojnë të jenë viktima të drejtpërdrejta të ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës në kompleksin e paraburgimit në Zllash / Zlaš brenda periudhës përkatëse.Edhe për këto tre viktima thuhet se nuk kanë paraqitur asnjë dokumentacion mbështetës për dëmin.ZPV i ka rekomanduar gjyqtarit të procedurës paraprake që të pranojë të pesë aplikantët si viktima pjesëmarrëse, si dhe i ka rekomanduar që t’i grupojë pesë viktimat në një grup të vetëm për qëllime të përfaqësimit të përbashkët.