Zyra e kryeministrit Kurti e kurdisi një tender, e konfimon eksperti i OSHP-së

Zyra e Prokurimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka hapur një tender që ka të bëjë me avancimin e Gazetës Zyrtare. Por, kriteret që janë vendosur në thirrje janë favorizuese për një kompani të caktuar ose diskriminuese për një tjetër.

“Shërbime të zhvillimit, avancimit –ndryshimit dhe mirëmbajtjes së ueb faqes së Gazetës Zyrtare”. Kështu quhet thirrja që është publikuar me 31 Maj nga Zyra e Kryeministrit, shkruan lajmi.net.

Vlera e parashikuar e kontratës është 80 mijë euro.

Menjëherë pasi është hapur kjo thirrje, në zyrën e kryeministrit sqarime shtesë ka kërkuar kompania “Komtel Project Enginering”. E pa kënaqur me sqarimet, kjo kompani ka parashtruar ankesë në prokurimin e kryeministrisë duke konsideruar që është shkelur Ligji i Prokurimit Publik në kriteret e vendosura për këtë tender. Konkretisht ka konsideruar që janë vendosur disa kritere që diskriminojnë kompani të caktuara dhe favorizojnë një apo të tjera, dhe është kërkuar që ato të ndryshohen. Të gjitha pretendimet e kësaj kompanie prokurimi komunal i ka hedhur poshtë si të pa bazuara.

Më pas kompania ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke konsideruar se janë shkelur një sërë nenesh të LPP-së në vendosjen e kritereve për këtë procedurë.

OSHP-ja me datë 5 korrik e ka autorizuar ekspertin e saj, Ermal Shala për të shoshitur pretendimet e kompanisë ankuese dhe më datë 15 e ka përfunduar raportin në rekomandimin e të cilit shkruan se ‘Duke u bazuar në sqarimet dhe të gjeturat në këtë ekspertizë, eksperti shqyrtues teknik  propozon Panelit Shqyrtues që ankesa e kompanisë ankuese të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të obligohet Zyra e kryeministrit t’i largojë dhe ndryshoj kriteret të cilat janë diskriminuese sipas pretendimeve të kompanisë ankuese” .

Por, cilat ishin kriteret në kundërshtim më ligjin që i vendosi Zyra e kryeministrit?

Eksperti teknik i OSHP-së ka konsideruar se me kërkesat profesionale /teknike të shpallura në dosjen e tenderit, prokurimi ka shkelur paragrafin 2 të nenit 28 Specifikimet Teknike sepse ka kërkuar certifikim specifik (PMP) që duhet të ketë menaxheri i projekteve, ndërkohë që ekzistojnë edhe certifikime tjera të barasvlershme dhe të zbatueshme për tenderin në fjalë, siç janë PMP, SCRUM, PRINCE 2, Project Manager Accredited Certification, CompTia Project, apo certifikime tjera ekuivalente, të cilat mund të vendosen sipas LPP-së.

Kërkesë diskriminuese dhe njëkohësisht favorizuese ndaj kompanive është parë edhe kërkesa specifike për certifikimin specifik për “Cloud Profesiobnal”. Kjo sipas ekspertit është në kundërshtim me paragrafin 3 të nenit 28 Specifikimi teknik, sepse është kërkuar certifikim për një teknologji të pa zbatueshme ose pa aplikueshme për kërkesat e punës në tenderin në fjalë. Web aplikacioni i GZK-së dhe i cili duhet të mirëmbahet nga kompania fituese nuk është i postuar në “Cloyud”, por është i postuar në resurset të ASHI-së. Termi “Cloud” është term më i gjerë, teknologjia  shërbimeve Cloud p.sh nga Microsoft (Microsoft Azure) Amazon (Amazon ueb servile), Gogle (Gogle cloud), etj. Kompanitë që i ofrojnë këto shërbime për klientët e vetë, i ofrojnë edhe trajnimet dhe certifikimet për teknologjinë e tyre.

“Eksperti shqyrtues lidhur me pretendimet ankimore të OE ankues mbi shkeljet sqaron se AK ka vepruar në kundërshtim me LPP dhe se AK në dosje të tenderit ka kërkuar certifikime të cilat nuk do të aplikohen në projekt, dhe ky kriter është kriter diskriminues dhe krijon rrethana të cilat favorizojnë disa OE dhe diskriminon OE të tjerë. Në rast se AK apo ASHI planifikon që këtë aplikacion ta hostojë në resurse Cloud, duhet të specifikojë në detaje cilën certifikatë duhet ta kërkojë dhe në cilën platformë të cloud do të hostohët aplikacioni. Në gjendjen aktuale të kërkesave në aneksin 1 të dosjes se tenderit, Certifikimi “Cloud Porfesional” është i pa nevojshëm dhe diskriminues, kërkojë nga AK ta largoj si kriter, pasi nuk gjënë zbatushmeri dhe nuk është i aplikueshëm”, ka shkruar eksperti.

Mbetet të shihet nëse Zyra e kryeministrit do të bëjë ndryshimet e nevojshme konfomë kërkesës së ekspertit shqyrtues, apo do ta pret gjykimin e Panelit Shqyrtues për këtë tender. Ndërkohë, OSHP që katër muaj është pa Panel shqyrtues dhe qeveria tashmë ka përzgjedhur disa emra të cilët pret t’i dërgojë në Kuvend për miratim.