Hoti: Kemi program të detajuar për rimëkëmbjen ekonomike

Kryeministri Avdullah Hoti, në kuadër të prezantimit të masave të Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike, si pjesë e programit qeverisës, sot mori pjesë në forumin virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Në fjalën hyrëse kryeministri Hoti ka prezantuar prioritetet e Qeverisë, masat që janë ndërmarrë për menaxhimin e situatës të shkaktuar si pasojë e pandemisë COVID 19, si dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me aktualitetin politik dhe ekonomik në vend.

Ai tha se orientimet e qeverisë janë në dy aspekte kohore, në periudhë të shkurtër dhe afatmesme përmes pakos për rimëkëmbje ekonomike dhe në periudhë më afatgjate ku do të vendosen bazat e zhvillimit ekonomik.

“Fokusi ynë kryesor mbetet rimëkëmbja ekonomike, por përtej asaj ne kemi një program bukur të detajuar nëpër fusha të caktuara të ekonomisë”, u shpreh kryeministri Hoti.

Hoti tha se Qeveria e Kosovës do të jetë e fokusuar në zhvillimin ekonomik afatgjatë, ndërtimin e politikave nxitëse për sektorin privat, politikat tatimore, zvogëlimin e informalitetit, themelimin e Fondit investiv, kompensimin e humbjeve ekonomike të shkaktuara si pasojë e pandemisë si dhe për investimet e jashtme përmes ligjit për investime strategjike.

Ai me këtë rast ka prezantuar 9 masat që janë paraparë në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike siç janë: lehtësimi i qasjes në financim; zvogëlimi i barrës tatimore; masat për mbështetje të punësimit; bujqësia; masat për stimulim të kërkesës agregate; mbështetja për ndërmarrje publike për operim të rregullt dhe investime kapitale të rëndësisë strategjike; rishikimi i Buxhetit për 2020 dhe relaksimi i kufizimeve fiskale dhe i borxhit publik; masa mbështetëse për ekonomi nga sektori financiar dhe mobilizimi për financimin e masave.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm parasheh futjen në ekonomi të një shume financiare prej 1.2 miliard euro si infuzion për zhvillim ekonomik, prej të cilave tashmë me rishikimin e buxhetit janë mobilizuar 384 milionë euro.