Zyra për Certifikim e konsideroi të paqartë, ja çfarë thotë shkronja ‘q’ e nenit 29 për certifikim të kandidatëve

Zyra për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike e KQZ-së gjatë ditës së djeshme në mënyrë pak konfuze ka dhënë një rekomandim për certifikimin e të gjitha listave zgjedhore ashtu siç janë.

Ky rekomandim i Zyrës për Certifikim ka rënë ndesh me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese që thoshte se kandidatë për deputetë nuk mund të jetë asnjë person i cili ka qenë i dënuar me vendim të gjykatës të formës së prerë në tri vitet e fundit, shkruan lajmi.net.

E pikërisht lidhur me këtë, Zyra për Certifikim ka thënë se shkronja ‘q’ e nenit 29 ka qenë e paqartë dhe si pasojë e kësaj paqartësie të pretenduar kanë rekomanduar që të certifikohen listat ashtu siç kanë qenë.

Por, çfarë thotë shkronja ‘q’ e nenit 29?

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi ka sqaruar për publikun këtë çështje.

“Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ ne nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Prandaj, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka kërkuar nga KGJK-ja të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve ‘nëse janë gjykatës’; ‘nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat’ dhe ‘nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit’. Në përgjigjen që KGJK i ka kthyer Zyrës për Partitë Politike dhe Certifikim ka vërejtur se janë 47 kandidat që kanë vendime të formës së prerë në tri vitet e fundit”, bëri të ditur Elezi.

Në anën tjetër, lista e kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin në tri vitet e fundit ose ndryshe thënë që janë të dënuar për vepra penale me vendim të formës së prerë gjatë 3 viteve të fundit e sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nuk iu lejohet të kandidojnë për deputetë është e gjatë.