Zyrtarët e Qeverisë ndalohen nga autoritetet serbe, reagon Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas ndalimit të disa zyrtarëve qeveritarë në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

Haradinaj e ka quajtur të papranueshëm, siç ka thënë ai, keqtrajtimin që është duke iu bërë zyrtarëve nga autoritete serbe.

Sipas tij, keqtrajtimet e vazhdueshme janë provokim i Serbisë ndaj Kosovës.

“I papranueshëm keqtrajtimi i vazhdueshëm i zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës nga autoritetet serbe. Sot në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë janë ndaluar nga autoritetet serbe, Srdjan Jovanoviq, këshilltar në zyrën time dhe Srecko Spasiq, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Keqtrajtimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe janë provokim dhe agresion i Serbisë ndaj Kosovës. Kjo tregon se politika agresive e Serbisë nuk ka të ndalur dhe bllokuesit kryesor të normalizimit të marrëdhënieve janë autoritet serbe”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.