ATK ka grumbulluar 5.8 miliardë euro për 19 vjet

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për 19 vite ka grumbulluar 5.8 miliardë euro dhe se është njëri prej institucioneve të rëndësishme të vend, i cili ka arritur të eliminojë evazionin fiskal dhe krijimin e kushteve të barabarta për biznesin në treg. Kështu u tha në 19-vjetorin e themelimit të këtij institucioni.
Në shënimin e këtij përvjetori, drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, duke treguar për rrugëtimin e këtij institucioni për 19 vjet, tha se kjo administratë nga viti 2000 ka mbledhur 5.8 miliardë euro.
“Janë shënuar rezultate pozitive të të hyrave. Nga viti 2000 janë mbledhur 5.8 miliardë euro, 4.2 miliardë janë nga tatimet dhe 1.6 miliard euro janë kontribute pensionale. Në vitin 2018 plani është realizuar 102 për qind, ku nga 464 milionë euro të planifikuara janë grumbulluar 457 milionë euro apo mbi 10 milionë euro më shumë. Krahasuar me vitin 2017 janë 42 milionë euro më shumë”, tha Imeri.
Ai tregoi se ky institucion aktualisht ka 812 zyrtarë.
“Si një ndër institucionet e para, ATK ka filluar punën me 30 punëtorë, ndërsa aktualisht ka 812 zyrtar të organizuar në 7 rajone të Kosovës dhe me dy zyra në Shtërpcë dhe Graçanicë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke uruar 19 vjetorin e themelimit, tha se duhet të ketë parametra të ri të luftimit të informalitetit.
“Duhet të kemi parametra të ri të luftimit të informalitetit. Duhet ta kemi një trend të luftimit të inormalitetit, nuk bëhet për ndëshkim, por duke iu afruar Bashkimit Evropian shtohen përgjegjësitë. Pakoja ligjore është vlerësuar nga Bashkimi Evropian, këtë e marrim edhe si lajm se do të kemi rezultate. Ardhja e Putinit të Serbi tregon se të gjitha investimet po shkojnë në Rusi. Asgjë nuk i ka mbetur Serbisë veç se të anëtarësohet në BRSS, krejt i kish dërguar paret në Rusi. Ne investimet i kemi drejtuar nga integrimet euro-atlantike dhe që është ekonomik”, tha Haradinaj.
Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Kosova është shembull i stabilitetit makro-fiskal.
“Përgëzoj rezultatet e arritura. Kosova është shembull i stabiliteti makro-fiskal dhe është kontribut i këtyre burrave dhe grave. Falënderoj të gjithë donatorët që na kanë ndihmuar në zhvillimin. Synimi i jonë është BE-ja dhe të gjithë legjislacioni po përgatitet për BE. Qëllimi jonë është mbështetja e sektorit privat”, tha Hamza.