​Albena Reshitaj zgjidhet nënkryetare e AAK-së, Bajram Hasani anëtar i kryesisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zgjedhur sot ish-ministren e Mjedisit, Albena Reshitaj nënkryetare të partisë, ndërsa ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasanin për anëtar të kryesisë.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini në një konferencë për media, pas takimit të Këshillit Drejtues të këtij subjekti.

Ai tha se AAK ka vendosur edhe për formatet e shtabeve zgjedhore nëpër komuna dhe për formatin e programit zgjedhor, teksa shtabit zgjedhor qendror do t’i prijë Blerim Kuçi, i cili është sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie.

Nënkryetarja e sapo zgjedhur, Albena Reshitaj, u shpreh se sot ka fituar besimin e liderit të AAK-së dhe gjithë partisë për të marrë pozitën e re.

Në fund, nënkryetari Ardian Gjini u shpreh se në konferencat e radhës për media do të shpalosin programin dhe konceptin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).