​Fondacioni ‘Besa’ i shkruan Valdete Dakës: Na mundësoni pjesëmarrjen në zgjedhje

Fondacioni i bizneseve shqiptare në Bavari “Besa”, i ka dërguar një letër të hapur kryetares së KQZ-së, Valdeta Daka, ku i kërkohet të mos përsëriten problemet e të kaluarës, ku diaspora është penguar që të marrë pjesë në zgjedhje.

Po ashtu ky fondacion, ka njoftuar se në rast të paraqitjes së parregullsive, apo përsëritjes së pengesave ndaj votuesve të diasporës, do t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë ligjore, ato kombëtare dhe ndërkombëtare.

Letra e plotë dërguar Dakës:

Duam te votojme- Leter e hapur Znj. Daka

E nderuar znj. Daka,

të nderuar zonja dhe zotërinj,

prej se Kosova ka shpallur mëvetësinë e saj, pengimi i diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje nacionale ka vazhduar traditën e UNMIK-ut.

Në vitin 2017 diaspora është furnizuar me material zgjedhor, tek atehere pasi që ka përfunduar gjithçka, serveri (E-maili) i Komisionit Qendror Zgjedhor nuk ka funksionuar.

Prandaj apelojmë tek ju si drejtuese e këtij mekanizmi demokratik, të na mundësoni pjesëmarrjen në zgjedhje.

Pjesëmarrja në zgjedhje është e drejtë kushtetuese e shtetaseve kosovare, pa marrë parasysh ku jetojnë ata.

Ju jeni si institucion jeni përgjegjës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe ju përkujtojmë se e keni detyrim kushtetues të na mundësoni të votojmë.
Defektet eventuale teknike nuk mund të jenë alibi për pengimin e diasporës në zgjedhje.

Ju jeni përgjegjës për atë që bëni por edhe për atë që nuk e bëni dhe duhet ta bëni.

Me lejoni të ju vë në dijeni, se kësaj radhe nuk mund të ju kursejmë. Në qoftë se nuk na mundësoni pjesëmarrje në zgjedhjet nacionale, ne Fondacioni “Besa”

nga München do të ndërmarrim hapa kundër jush, duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese dhe të gjithë mekanizmat e drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ne me disa gazetarë ndërkombëtarë do të jemi vëzhgues të këtyre zgjedhjeve.

Diaspora është financuesi më i sigurt dhe i rregullt i shtetit te Kosovës.

Ju urojmë mbarëvajtje demokratike të zgjedhjeve të lira

Kjo letër u shkon edhe Konsullatës së përgjithshme në München dhe Ambasadës në Berlin.