​Haradinaj flet rreth deklarimeve të Mustafës për Ujmanin

Tema e Ujmanit në marrëveshjen e Uashingtonit, ka përplasur kryetarin e LDK-së Isa Mustafa dhe atë të AAK-së Ramush Haradinaj.

Mustafa ka thënë se e vërteta për marrëveshjen në Uashington, sa i përket Liqenit të Ujmanit, është ndryshe dhe se marrëveshja për Ujmanin nuk ka pësuar asnjë ndryshim më 4 shtator.

Ai ka thënë se është e padenjë dhe e padrejtë të tentohet të krijohet opinioni se njëri partner në dialog e fali Ujmanin ndërkaq tjetri e shpëtoi, duke iu referuar kryetarit të AAK-së.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka komentuar këto deklarime të partnerit të tij qeverisës.

“Unë kam parë një shqetësim te Mustafa dhe ajo ka reflektuar tek ai që ta marrë seriozisht çështjen. Ujmani ka qenë pika ‘nyje’ dhe gjatë gjithë ditës nuk ka qenë e sigurt se do të nënshkruhet versioni që është sot. Ka ndryshim nga versioni i parë. Nuk është vendosur një kornizë se çfarë do të thotë fizibiliteti i Ujmanit”, ka thënë Ramush Haradinaj në Debat Plus të TV Dukagjinit.

Ai ka thënë se Ujmani është pasuri e Kosovës dhe se nuk do të ketë asnjëherë kompromis lidhur me këtë çështje.