​Haradinaj lëshon takimin me Hotin, thotë se është për ngutë

Ka nisur në Qeveri të Kosovës takimi i liderëve të disa partive politike në vend me kryeministrin e vendit, Avdullah Hoti, por vetëm pas minutave atë e ka braktisur lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka dalë nga takimi i liderëve qe ishte ftuar nga kryeministri Hoti duke thënë se është për ngutë, duke lënë të nënkuptohet se ka një takim tjetër.

“Njëherë tjetër sepse jam vonë”, tha Haradinaj shkurt derisa doli nga ndërtesa e qeverisë.

Ndërkohë, politikanët tjerë vazhdojnë te jenë në takimin e ftuar nga shefi i ekzekutivit.

Në takim janë kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, po ashtu janë edhe përfaqësuesit e AKR’së dhe deputetët e minoriteteve.

Kujtojmë se Hoti i ka ftuar liderët e të gjitha partive në takim për të diskutuar para 27 qershorit, kur Kosova dhe Serbia do të kthehen në tavolinë të bisedimeve, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Mirëpo, Hotit pozitivisht nuk i janë përgjigjur Kadri Veseli, lideri i PDK-së, dhe ish-kryeministri e shefi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.