​Haradinaj-Stublla: Aleksandar Vuçiq – ‘këlysh i Rusisë’

Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla, e ka quajtur presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq “këlysh” të Rusisë, pasi ky i fundit paralajmëroi një luftë të re mundshme sikurse ajo në Nagorno-Karabak ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë.

“Pas nxitjes së luftimeve në Nagorno-Karabakh me armë të prodhuara në Serbi, Serbia në krye me Vuçiqin – ministrin e Propagandës së Millosheviqit – tani po kërcënon të gjitha shtetet fqinje të rreshtuara me NATOn se do të vazhdojë forcimin ushtarak për t’u përgatitur për luftëra të reja në Ballkan”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Twitter.

Ajo ka thënë se politika dhe qasja e Serbisë nën rolin e “këlyshit të Rusisë” është qartazi kundër vlerave evropiane dhe politikave të NATO-s për stabilitet dhe siguri në Ballkan, dhe se të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në vitin 1999.