Laboratorët private e pranojnë se po gabojnë, diku pacientët po dalin pozitiv e diku negativ

Laboratorët janë bërë temë e rëndësishme publike në javët e fundit – krejt kjo për shkak të testimeve për Covid-19 dhe raportimeve alarmante nga qytetarët.

Periskopi gjatë ditës së djeshme ka raportuar për një rast mjaft të çuditshëm të një qytetareje që ka marrë dy rezultate të kundërta në dy laboratorë të Kosovës.

Një qytetare dje mori dy rezultate të kundërta në dy labë të ndryshëm, njëri pozitiv e tjetri negativ.

Tirana-LAB i dha asaj rezultatin negativ ndërkaq EndoMedica i dha rezultatin pozitiv.

Periskopi ka kontaktuar me Poliklinikën EndoMedica për të kuptuar më shumë mbi rastin. Specialistja e Biokimisë, Senaida Berisha, e ka pranuar se ka ndodhur një gabim nga ana e laborantes.

Siç shpjegon ajo, pacientja në fjalë, ka bërë dy analiza në një skelet.

Berisha thotë se IGG (Immunoglobulina G – një tip i antitrupit) ka qenë e theksuar tek pacientja në fjalë më shumë që nënkupton se e ka kaluar covid-19, por siç sqaron ajo IGM (Imunoglobina M – një prej shumë izotopeve të antrupit që prodhohen nga vertebrat) ka qenë pak e theksuar apo fare, që nënkupton që virusi ende është aktiv tek pacientja apo pothuajse në përfundim të tij.

Berisha thotë se është dashur të shënohej ose “e lehtë pozitive” ose “krejtësisht negative” – dhe më pas i lë fajin laborantes që e ka cilësuar pacienten si “pozitive”.

Në fakt, pacientja është cilësuar pozitive edhe në IGM por edhe në IGG.

“Testin e parë (pacientja) e ka bërë tek ne, ndërkaq testin tjetër te Laboratori Tirana-lab. Te ky i fundit e ka bërë vetëm IGM-në, ndërsa te laboratori ynë e ka bërë edhe IGG-në por edhe IGM-në. Linja e IGG-së në këtë rast është shumë e theksuar, ndërsa linja IGM është shumë e lehtë – gjë që e reflekton agresiviteti apo fortësia prej antitrupave IGG – kjo do të thotë që pacientja e ka kaluar sëmundjen.” – tha ajo për Periskopi.

“Testet janë shumë të ndjeshme; edhe shumica e vogël e trupave IGM ka reflektuar një linjë e hollë… ndoshta është dashur të shënohet negativ por përderisa ka reflektuar ajo linjë e hollë, edhe laborantja e ka shënuar si pozitiv.” – ka thënë znj.Berisha.

Periskopi ka kontaktuar edhe laboratorin Tirana-Lab dhe pështjellimi vijon tutje.

Biokimisti Bislim Bislimi nga ky lab ka pranuar se pacientja aty e ka bërë vetëm analizëm IGM.

Bisilmi shpjegon se rezultatet të cilat i mori pacientja ishin negative, që nënkupton që ka pasur kontakt me virusin por që e ka kaluar së paku qe dhjetë ditë.

“ Së pari janë bërë dy analiza të ndryshme, njëra tregon nëse e ke kaluar sëmundjen që dhjetë ditë, ndërkaq tjetra tregon nëse aktualisht je e sëmurë. Njëri rezultat tregon që anti-covid IGG-IGM, ai tregon nëse ti e ke kryer sëmundjen, te ne i ka bërë antitrupat covid IGM, cilado prej tyre që del pozitiv qofte IGG qoftë IGM rezultatit del pozitiv. Në laboratorin tim e ka bërë vetëm IGM. Interpretimin e rezultateve ende nuk po e dimë ta bëjmë ne dhe keni fillu edhe ju edhe popullata, nuk është aq e thjeshtë, ky rezultat tregon që pacientja ka kaluar covidin që së paku dhjetë ditë, por prania e antitrupave IGG në qarkullim tregon që e ka kaluar, po të ishte pozitiv rezultati te IGM tregon që pacienti ende është i sëmurë ka filluar të krijoj mbrojtje por ende nuk është shëruar, por tek ne është dalë që IGM është negative, që i bie pacientja e ka kaluar covid-19”, tha biokimisti.

Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë tash e tri javë ka licencuar 29 institucione shëndetësore private për të kryer teste serologjike dhe teste me metodën PCR për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi i ri.

Ndërkaq të dhënat zyrtare tregojnë se 533 njerëz kanë vdekur në vend nga 13 marsi e deri më sot, 1 shtator. Ndërkohë që deri tash janë diagnostikuar më shumë se 13 mijë njerëz me këtë sëmundje.