​Kurti: Kujtimi për Adem Demaçin do të jetë i përjetshëm

Kryeministri i sapo zgjedhur, Albin Kurti bashkë me kabinetin qeveritar kanë bërë homazhe edhe pranë varrit të ish veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Kreu i qeverisë tha se kujtimi për Demaçin do të jetë i përjetshëm dhe do të kultivohet ndër breza.

“24 marsin sivjet, si qeveri e re e Republikës së Kosovës e filluam tek njëri Adem, Adem Jashari dhe po e përfundojmë te një Adem tjetër, që në një mënyrë është edhe i njëjti, Adem Demaçi. Simboli i rezistencës sonë, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare dhe i paepur i cili kishte një jetë të tërë vepër për interesin tonë të përgjithshëm. Pavarësisht burgosjeve të gjata, që së bashku bëjnë 28 vjet nuk u ndal, nuk u lodh dhe nuk u thye asnjëherë. Kujtimi për të është i përjetshëm dhe padyshim që kontributi i bacës Adem do të mësohet dhe do të kultivohet ndër breza të veprimtarëve përgjatë gjithë këtij shekulli të ri”, tha ai.

Kurti gjatë ditës bëri homazhe edhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varret e dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit dhe te varri ish presidentit, Ibrahim Rugova.