Challandes: Jam krenar me skuadrën time

Trajneri Bernard Challandes e ka komentuar fitoren kundër Çekisë, duke thënë se ai është krenar për punën që futbollistët e tij e bënë në fushë.

Ekipi kombëtar i Kosovës ka arritur të sigurojë fitore të rëndësishme, me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Republikës Çeke, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Fitorja e sotshme e “Dardanëve” jo vetëm që e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa disfatë në 15 të tilla, por edhe ia jep Kosovës tri pikë të rëndësishme në ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.

“Ky ishte mentaliteti i duhur, e treguam punën e përbashkët. E kemi parë një skuadër të jashtëzakonshme kundër në rivali shumë të mirë dhe ne duhet të jemi shumë krenar për punën dhe gjithçka që dhanë futbollistët në fushë”, u shpreh Challandes.

“Topat që i larguam nga vija fatale e portës na motivuan. Ne nuk kemi skuadër të dytë, unë mund të sjell edhe lojtarë të tjerë që luajnë në sulm dhe mesfushë, nëse na mungojnë një, dy apo tre të tjerë”.

“Skuadra e jep reagimin si skuadër dhe kjo më gëzon mua. Kundërshtari ishte shumë i fortë, ne mundoheshim ta mbajmë topin”.

Çekia fillimisht e dëshmoi se pse është në pozitën e 43-të në ranglistën e Kombëtareve të FIFA-s, duke kaluar në epërsi në minutën e 16-të të ndeshjes përmes një goditjeje nga Patrick Schick.

Megjithatë, “Dardanët”, të cilët radhiten të 120-tët në listën e FIFA-s, e barazuan këtë rezultat vetëm katër minuta më vonë. Pas shumë aksioneve të bukura, në minutën e 20-të shënoi Vedat Muriqi.

Për t’i shkuar një hap më afër kualifikimit në EURO 2020, Mërgim Vojvoda e kaloi Kosovën në epërsi në minutën e 66-të, pas pasimi të mirë nga Valon Berisha.

Kështu, para një stadiumi të mbushur me tifozë – të cilët vazhdimisht brohorisnin e duartrokisnin në përkrahje të “Dardanëve” – dhe në mungesë të pesë futbollistëve standardë – Arbër Zenelit, Milot Rashicës, Herolind Shalës, Hekuran Kryeziut dhe Benjamin Kolollit – skuadra e Bernard Challandes i mori tre pikët që, të paktën momentalisht, e dërgojnë Kosovën në kreun e Grupit A.

Nga gjithsej katër ndeshje të zhvilluara deri më tani, Kosova i ka siguruar dy fitore – kundër Çekisë dhe Bullgarisë – dhe dy barazime – kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Anglia radhitet e dyta në Grupin A, pas Kosovës, megjithatë xhiron e kësaj ndeshjeje anglezët do ta zhvillojnë sot në orën 18:00 kundër Bullgarisë.

Kosova do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në EURO 2020 të martën, kur do të përballet me Anglinë në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.

Megjithatë, Kosova e ka edhe një rrugë të dytë për ta siguruar pjesëmarrjen në Evropian, përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale do të takohet me Maqedoninë, e në finale mund të përballet me Bjellorusinë ose Gjeorgjinë.