​Ndërron jetë veterani i UÇK-së (foto)

Ka ndërruar jetë ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Hazrolli.

Lajmi për vdekjen e veteranit, invalidit dhe ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Hazrolli, ka pikëlluar të gjithë, shokët, bashkëluftëtarët e veprimtarët e çështjes kombëtare.

Me këtë rast edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu i dërgoi telegram ngushëllimi familjes Hazrolli.

“Shumë e nderuara familje Hazrolli! Me pikëllim të madh morëm lajmin se nga kjo botë iku luftëtari, veterani, invalidi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetari për shumë vite i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, Muharrem Hazrolli. Me të ndamë momentet më të mira, vullnetin më të hekurt dhe bindjen më të pastër të të ardhmes që buroi nga lufta e lavdishme çlirimtare. Ngushëllime, ju, miqve e bashkëluftëtarëve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, tha në telegramin e ngushëllimit, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Varrimi i të ndjerit bëhet nesër, më 01.08.2019, në ora 15:00, në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve dhe Veteranëve në Grykën e Caralevës.

Në nderim të bashkëluftëtarit, nesër, më 01.08.2019, në ora 11:00, organizohet akademi mortore, akademia mbahet në teatrin e qytetit të Ferizajt.