1 Janari pa viza/ Kompanitë e fluturimeve dhe autobusëve tregojnë a do t’i shtrenjtojnë çmimet e biletave

Edhe më pak se tre javë kanë mbetur kur pritet që qytetarëve kosovar t’u mundësohet të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

E për shtimin e numrit të klientëve janë përgatitur edhe agjencitë e udhëtimeve.

Qytetarët kanë filluar interesimin për procedurat e udhëtimeve nga 1 janari i 2024-tës.

Kështu të paktën thonë nga kompanitë turistike në vend.

Kurtishaj: Ka interesim të shtuar të qytetarëve për të udhëtuar nga 1 Janari, nuk i rrisim çmimet

“Ka interesim të shtuar të qytetarëve sa i përket liberalizimit të vizave”.

Këtë për Front Online e tha kryetar i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj.

Ai thotë se kompania e tij “Sharr Travel” është gati për plotësimin e kërkesave të qytetarëve.

“Jemi në fazën përgatitore për udhëtimet Zvicër-Kosovë për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve të cilat janë në rritje e sipër për çdo ditë”, thotë Kurtishaj.

Çmimet e biletave nuk do të rritën, thotë Kurtishaj.

Ai tha se nëse kompanitë e tjera veprojnë ndryshe, Sharr Travel do jetë afër qytetarëve me mos ndryshim të çmimeve tash e 5 vite.

“Edhe pse janë ngritur çmimet e derivateve, nuk do të ketë ndryshim të çmimeve janë çmimet ekzistuese tash e 5 vite që kur kemi filluar të operojmë për Zvicër edhe nëse tjerat kompani i ndryshojmë ne jo. Ne jemi afër qytetarëve sepse i dimë mundësitë buxhetore të secilit”, ka deklaruar ai.

Kurtishaj bëri të ditur edhe një ndryshim në kompaninë e tij.

“Nga dy herë në javë tashmë udhëtimet për në Zvicër do të jenë pesë herë në javë, kemi rritë mbi 100% numrin e operimeve”.

Kompanitë e fluturimeve: Interesim i madh i qytetarëve në prag të liberalizimit të vizave

Skeptik janë se çmimet nuk do të ndryshojnë nga agjencia e udhëtimeve GO Travel.

Nga agjensioni thanë për Front Online se çmimet aktualisht janë të lira.

“Momentalisht nuk janë çmimet e larta e nga janari nuk e di çfarë çmime do të ketë, momentalisht për janar janë të lira çmimet por edhe varët në cilin vend”.

Qytetarët po hezitojnë për rezervime anipse ka shumë kërkesa, thonë nga kompania në fjalë.

“Pyetje dhe kërkesa ka shumë, por rezervime personat që nuk kanë viza nuk ka sepse kanë frikë dhe nuk janë të sigurt”, kanë treguar nga kompania.

Krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2022, muaji po i njëjtë në vitin 2023 ka interesim të madh të qytetarëve për udhëtimet jashtë vendit.

Kështu po thonë për Front Online nga agjensioni “Fibula Travel”.

“Në periudhat e vitit të ri gjithmonë ka fluks, nuk e dimë a është faktori i liberalizimit të vizave apo festat nuk e dimë. Ka dukshëm klientë më shumë, krahasuar me vitin e kaluar të dhjetorit ka interesim më të madh se kostot janë duke u liruar sepse tash kanë ndryshuar linjat dhe Evropa nuk është më larg”.

Jo se do të shtrenjtohen por do të lirohen çmimet nga janari, thonë nga agjencia turistike.

“Besoj që do të lirohen çmimet nga janari sepse veç kanë filluar tani të lirohen se kanë hyrë në tregje edhe fluturimet ekonomike të cilat mund të përdorën dhe del kostoja e biletës më e lirë”, thuhet në përgjigjën e kompanisë.

Më 18 prill të këtij Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Zyrtarisht heqja e vizave për kosovarët pritet të bëhet me 1 janar të vitit të ardhshëm.

Qytetarët të cilët posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.