1 milion vaksina të administruara deri më tani në Kosovë

Në Kosovë sot ka arritur numri prej 1 milion doza të vaksinave të administruara.

Kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate për medie.

“Është shumë e rëndësishme që të mbajmë ritmin pozitiv të vaksinimit, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë ta mposhtim virusin”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MSH-së.

Po ashtu, MSH ka falënderuar ekipet e vaksinimit për punën e bërë deri më tani.

“1 MILION vaksina te administruara. Mirënjohje ekipeve të vaksinimit për punën e çmuar dhe besimin e patundur për të arritur këtë nivel të trendit të vaksinimit në një kohë të pazakontë. Le të i bashkojmë thirrjet tona për të afërmit e më të dashurit tonë, që të rezervojnë një termin për vaksinim sa më herët që është e mundur”

“Tash kur e kemi të njohur se vaksina zvogëlon dukshëm simptomat e rënda të sëmundjes dhe vdekjen, dhe kështu probabilitetin e infektimit indirekt të njerëzve të tjerë, pa e ditur, akti më moral dhe më i përgjegjshëm është i qartë: VAKSINIMI”, thuhet në njoftimin e MSH-së.