Raportohet për përleshje brenda degës së LDK-së në Vushtrri

Anëtarët e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri, gjatë së martës janë përfshirë në përleshje fizike në mes vete.

Të martën mbledhja e kryesisë së LDK-së në Vushtrri u shëndërrua në “arenë” të përleshjeve fizike.

Salih Tahiri, vëllai i kryetarit të degës në Vushtrri, e sulmoi fizikisht anëtarin e kryesisë Agim Krasniqin dhe kryetarin e nëndegës “Kalaja” në Vushtrri, Selim Salihun.

Këto informacione i ka konfirmuar edhe sekretari i kësaj dege të LDK-së, Avdi Avdiu.

Ai ka thënë se ka pasur përplasje fizike por që nuk është lajmëruar policia fare.

“Përplasje ka pasur, nuk po e di, për shkak të gjërave të ndryshme brenda partisë. Nuk është lajmëruar në polici”, ka thënë sekretari i LDK-së në Vushtrri, Avdiu.

“Pyetni kryetarin e degës Xhafer Tahirin ai duhet ta sqaroj këtë që ka ndodhë.. Salih Tahiri nuk është fare anëtarë i kryesisë”, ka thënë tutje Avdiu.

Kryetari Xhafer Tahiri e ka mohuar këtë informacione duke e akuzuar anëtarin e kryesisë, Agim Krasniqin se “është shitur” te PDK-ja dhe po shpif ndaj tij.

“Jo, jo kurçfarë përleshje nuk ka ndodhur kjo është një shpifje dhe e gjitha kjo ka të bëjë për një objekt që është kah ndërtohet nga Agim Krasniqi e i cili është shitur te PDK-ja dhe po bënë presion në degën e LDK-së”, ka thënë Xhafer Tahiri për Paparacin.

Xhafer Tahiri ka hedhur akuza në drejtim të Agim Krasniqit i cili sipas Tahirit për shkak të një objekti pa leje që po e ndërton po shantazhohet që të inskenoj situata brenda LDK-së.

“Absolutisht nuk është e vërtetë, as nuk diskutohet absolutisht, është shpifje që është e sponzoriasuar prej PDK-së përmes Agim Krasniqit. Ai është duke e ndërtuar një objekt pa leje në Vushtrri e për të cilin është i shantazhuar nga PDK-ja për me bë kësi lloj situata për me inskenu situata të tilla në LDK”, ka thënë Tahiri.

Kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri Xhafer Tahiri i pyetur se përse po e mohon përleshjen e vëllait të tij të konfirmuar nga sekretari i degës Avdi Avdiu, tha se ky i fundit ka qenë me të dhe nuk qëndron kjo.

“Asnjë përleshje nuk ka ndodhë, sekretari me mua ka qenë ulur gjatë gjithë kohës”, ka thënë Tahiri.