10 euro për të hyrë në Prishtinë, reagon Ramiz Lladrovci

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk e sheh të duhur projektin ku Komuna e Prishtinës ka paraparë taksë për qytetarët jashtë Prishtinës, të cilët me automjet duan të futen  brenda kryeqytetit.

Lladrovci thotë se edhe Komuna e Drenasit ka probleme me qarkullimin në trafik dhe qasjen e qytetarëve në qendër por, tarifat nuk janë zgjidhje.

“Çdo qytet ka vështirësitë e veta për mobilitet. Problemi me lëvizjen, parkingun dhe qasjen e qytetarëve në qendër e kemi edhe ne në Drenas e jo Prishtina”, tha Lladrovci, për Klan Kosova.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se një orë në mëngjes e dy pasdite, qarkullimi është i tmerrshëm në Prishtinë, prandaj do rregulluar dhe do marrë vendime të guximshme por jo pagesa për qytetarin”.

Ai madje vlerëson se ofrimi i kushteve më të mira për qarkullim me automjete në kryeqytet, e më pas gjoba për mosrespektim të kushteve, mund të ishin zgjidhja e duhur.

“Pagesa nuk është zgjidhje, sepse zgjon reagime të paarsyeshme, gjoba nuk mund të jetë masa e disiplinimit. Por, ofrimi i kushteve, ofrimi i mundësive e pastaj gjoba për mosrespektim apo pagesë në pajtim me rrethanat tona”, tha ai.