10 mijë euro gjobë në muaj për operatorët që nuk e përdorin +383

Autoriteti për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), do të gjobitë me nga 10 mijë euro gjobë për dy operatorët e telefonisë mobile, IPKO dhe Vala, pasi nuk kanë larguar ende nga përdorimi kodet e huaja telefonike.

Ato kanë qenë të obliguara që nga viti i kaluar të përdorin kodin shtetorë +383.  Pas kërkesave të tyre ARKEP u kishte dhënë afat shtesë.Ndërsa data e fundit për tërheqjen totale të kodëve +377 dhe +386 dhe zëvendësimi i tyrë me kodin shtatëror +383 ka qenë 15 janari.

Pas kësaj datë Autoriteti për Komunikime Elektronike dhe Postare, njoftoi se do të fillojë shqiptimin e gjobave për operatorët.

“Për operatorët, të cilët nuk e përfundojnë në tërësi implementimin e kodit E.164: 383 sipas afatit të specifikuar më lartë dhe largojnë kodet, të cilat kanë qenë në përdorim deri më tani, do të ndërmerren masa sanksionuese në përputhje me Kornizën Rregullatore në fuqi, respektivisht do t’u shqiptohet sanksioni ekonomik në vlerë prej €10,000 (dhjetë mijë euro) në baza mujore duke filluar nga data 15 Janar 2019”, thuhet në përgjigjen e ARKEP.

Në këtë insitucion thonë se janë vënë në dijeni nga operatorët për aktivitetet që ata kanë ndërmarrë me qëllim të zbatimit të këtij afati, megjithatë deri më tani nuk janë larguar kodet e tjera në përdorim, gjë e cila rezulton me gjoba mujore.

“ARKEP fton operatorët edhe njëherë që të bëjnë sa më shpejt që të jetë e mundur zbatimin e plotë të kodit 383 dhe largimin e kodeve të huaja, në mënyrë që të mos vazhdojnë të jenë të gjobitur në baza mujore, në të kundërtën ARKEP planifikon që ta rishikoj këtë gjobë në 2-3 muajt e ardhshëm dhë nëse e njejta nuk ka arritur efektin e saj mund të ndërmerren edhe masa tjera sanksionuese”, thuhet në përgjigjen e ARKEP.

IPKO: Kemi bërë transferin teknik të numrave në kodin e ri

Përderisa kanë arritur që të bëjnë transferin teknik të numrave në kodin e ri shtetëror +383, IPKO thotë se nuk e kanë larguar nga përdorimi kodin që e kanë përdorur deri më tani +386.

“IPKO ka migruar tërësisht në aspektin teknik, që është hapi më i rëndësishëm në procesin e kalimit në kodin e ri telefonik. Si rezultat i migrimit teknik, nga 17 Prilli i vitit 2018, të gjithë klientët e telefonisë mobile identifikohen vetëm me kodin e ri shtetëror 383. Identiteti i përdoruesve të telefonisë mobile të IPKO është vetëm me 383, përderisa thirrjet ndërkombëtare në hyrje klientët mund ti pranojnë në të dyja kodet: 383 edhe në 386”, tha zëdhënësja e IPKO-s, Edona Zogu.

Zogu ka thënë se arsyeja që kodi +386 nuk është mbyllur tërësisht është që të mos shkaktohen pakënaqësi te klientët nëse operatorët e vendeve të largëta që nuk e njohin kodin e ri shtetëror.

 

“ IPKO dëshiron që të gjithë klientët e saj të jenë të qasshëm nga të gjitha vendet e botës, prandaj derisa shumica e operatorëve të bëjnë ndryshimet në sistemet e tyre drejt kodit të ri shtetëror, do ta mbajë të hapur edhe kodin e vjetër.Mbyllja e kodit 386 për thirrjet ndërkombëtare në këtë moment do të nënkuptonte afektimin e disa prej klientëve tanë dhe si rrjedhojë nuk do të mund të lidheshin me më të dashurit e tyre që jetojnë jashtë vendit”, tha Zogu për Insajderin.

Telekomi i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Insajderit  se pse nuk  është arritur implementimi i tërësishëm i kodit telefonik shtetëroë.

Organizata  Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në muajin dhjetor të vitit 2016 pati lëshuar kodin telefonik për Kosovën.

Ishte paralajmëruar se Brenda një periudhe 18 muajore të bëhet ‘migrimi’ i sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 (kodi i përdorur nga Vala) dhe +386 (që përdoret nga operatori IPKO) si dhe largimi i menjëhershëm i kodit për telefoni fikse +381.

Zyrtarisht përdorimi i kodit +383 filloi të përdoret nga marsi i vitit 2018, ndërkohë që përdorimi i kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundojë në muajin qershor.

Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonikë në mënyrë që ata t`i hapin ‘routat’, për thirrje ndërkomëbtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.

Kjo nuk u krye me sukses.

Operatorët telefonikë kishin kërkuar që afati për këtë implementim deri në tetor të vitit të kaluar.

Për këtë ARKEP caktoi 15 janarin e këtij vitit si afati i fundit që operatorët telefonikë të largojnë kodet telefonike +377 dhe respektivisht +386 përndryshe pasojnë dënimet monetare.