10 policë u lënduan dje në veri, Sindikata e Policisë kërkon nga organet kompetente që të marrin masa

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me sulmet e djeshme në drejtim të zyrtarëve policorë të Kosovës.

Sindikata ka dënuar ashpër sulmin e fundit ndaj zyrtarëve policorë duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që t’i japin sa më shpejtë epilog këtij rasti dhe të gjitha rasteve të tjera që kanë si objekt sulmi Policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës është profesionale dhe po punon në respektim dhe zbatim të ligjit.Sindikata dënon ashpër këto sulme dhe çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë, që janë në krye të detyrës. Kërkojmë nga qytetaret e vendit që Policin e Kosovës të përkrahët në punën e tyre, si në luftën kundër krimit dhe në detyrat e jashtëzakonshme me rrezik edhe për jetën e tyre dhe të gjdo Qytetari në Republikës e Kosovës”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Poashtu është kërkuar që nga organet kompetente që të marrin masa ndaj personave te papërgjegjshëm, të cilët lënduan policët në krye të detyrës.

“Policëve të lënduar u urojmë shërim dhe kthim sa më të shpejtë në vendin e punës!”.

Nga aksioni i djeshëm në veri janë lënduar 10 persona.