Osmani: Veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar

Vjosa Osmani ka bërë adresimin e parë si ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.

Ajo tha se vendi po kalon ditë të vështira, por qytetarët duhet të dëshmojnë unitet e besnikëri, dhe se veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar.

“Veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar”, tha Osmani.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Vendi ynë po kalon ditë të vështira, qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë unitet dhe besnikëri ndaj projektit tonë të përbashkët, republikës sonë.

Vendi ynë ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit prandaj duhet të ushtrojmë me maturi e përgjegjësi institucionale dhe ta forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit tonë sepse shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida, duke i tejkaluar ato dinjitetshëm.

Ne jemi të vetëdijshëm se veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar.

Proceset që vijnë pas nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtarëve të Ushtrisë sonë çlirimtare”.