160 kandidatë të 30 subjekteve politike kanë probleme me ligjin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka mbajtur një konferencë në lidhje me certifikimin e kandidatëve.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi u shprehë se 160 kandidatë nuk janë certifikuar për shkak të problemeve që kanë me ligjin, transmeton Indeksonline.

“KQZ ka pranuar përgjigje nga institucionet të ndryshme lidhur me përshtatshmërinë po aftësinë e kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme – përgjigje kanë dërguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Dogana e Kosovës”.

“Duke u mbështetur në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë kanidatë të cilët nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pikën ‘q’, sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”, u shprehë ai.

“Janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë e 200 kandidatësh, të cilët kanë kërkuar të certifikohen qoftë në zgjedhjet për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, por që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit. Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, ka filluar t’i njoftojë subjektet politike për përgjigjet e institucionevemë dhe të njëjtave do t’iu japë mundësi që të bëjnë zëvëndësimet e këtyre personave me kandidatë të tjerë” tha Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së bëri të ditur se në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e paknaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në institucionet: Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.