18 raste me coronavirus në Ferizaj, kryetari i komunës apelon te qytetarët të qëndrojnë në shtëpi

Vetëm sot janë shënuar 18 raste të reja në Ferizaj. Deri me sot ishin vetëm dy raste të shënuara dhe 1 vdekje.

Pas këtij numri, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Agim Aliu. Në një postim në facebook, Aliu ka thënë se nuk duhet bërë panik dhe ka bërë thirrje që qytetarët e kësaj komune të qëndrojnë në shtëpi.

“18 ferizajas rezultuan të infektuar me virusin COVID-19. Bashkëqytetarë, ju lutemi, qëndroni në shtëpi, mbroni veten, familjen e gjithë shoqërinë.
Mantelbardhët janë në veprim, më së paku na nevojitet tash paniku, por ndërgjegjësimi është i domosdoshëm. Ne po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të mbajtur situatën nën kontroll”, ka shkruar Aliu.

Sot në vizitë në Ferizaj ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për të ofruar mbështetje. Ai atje tha se masat e Qeverisë po japin sukses. Rastet pozitive sot janë raste kontakti, nëntëmbëdhjetë (18) raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare), 2 raste Viti, 1 rast Hani i Elezit, 1 rast Prizren dhe 1 rast Prishtinë.