20 punëtorë të MPB-së morën paga në vlerë 100 mijë euro pa shkuar në punë

Zyra Kombëtare e Audimit ka gjetur disa parregullsi në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga ministri Xhelal Sveçla.

Një ndër to është kompensimi i pagave pa vijueshmëri në punë.

Bazuar në vendimin e Qeverisë Nr.06/39 i dt. 22.07.2015, ish MAP ka qenë e obliguar t’i sistemojë 20 punëtorë të komunitetit serb, pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë, siç thuhet në raportin e ZKA-së, këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri.

Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 97,099€.

Neni 8 i Rregullores (QRK) Nr.12/2020 për Orarin e Punës dhe Pushimet e Zyrtarëve”, përcakton se – “Gjatë orarit të punës të gjithë zyrtarët publik janë të obliguar të jenë në vendin e punës. Çdo zyrtar publik shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik“.

ZKA thotë se kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.

Pagesat e pagave në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, siç thotë Zyra Kombëtare e Audimit, janë pagesa të parregullta dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit si dhe mos arritje objektivave të përcaktuara në marrëveshje dhe mos integrim të këtij komunitetit në sistemin aktual.

Andaj, ZKA rekomandon se Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar krijimin e kushteve për vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore.