MSH-ja i përgjigjet Bekim Haxhiut: Vaksinat nga Norvegjia janë me afat dhe të sigurta

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar qytetarët se të gjitha vaksinat kundër COVID-19, të cilat janë duke u dhënë në Kosovë, kanë afat të mjaftueshëm përdorimi.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, MSH-ja ka bërë të ditur se edhe vaksinat e pranuara si donacion nga Mbretëria e Norvegjisë këtë javë, kanë afat të mjaftueshëm dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt.

“Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit – shtetit të Norvegjisë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Në fund, MSH-ja ka bërë të ditur se Kosova është nga shtetet e rralla në rajon që nuk ka pranuar të marrë vaksina të pa aprovuara nga EMA dhe OBSH për përdorim kundër COVID-19.

Kujtojmë se ditë më parë, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka deklaruar se vaksinat që i janë dhënë Kosovës si donacion nga Norvegjia, kanë afat vetëm disa ditë. /Lajmi.net/

Njoftimi i plotë:

Komunikatë për media

Prishtinë, 4 korrik 2021

Ministria e Shëndetësisë i siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se të gjtha vaksinat kundër COVID-19, të cilat janë duke u dhënë në Kosovë, përfshirë edhe ato që janë marrë këtë javë donacion nga Mbretëria e Norvegjisë kanë afat të mjaftueshëm përdorimi dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt.

Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit – shtetit të Norvegjisë.

Duke u bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë përmes platformës eKosova (https://ekosova.rks-gov.net/) për marrje të vaksinës kundër COVID-19, MSh rikujton faktin se Kosova është nga shtetet e rralla në rajon që nuk ka prauar të marrë vaksina të pa aprovuara nga EMA dhe OBSh për përdorim kundër COVID-19.