22 vjet nga rënia e Ismet Jasharit “Kumanova”

Janë bërë 22 vjet nga rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari, i njohur si Komandant “Kumanova”.

Ismet Jashari lindi në fshatin Orizare të Kumanovës më 16 prill të vitit 1967. Ai ishte i biri i Jashar Jasharit e i nënë Nuries. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 u regjistrua në Gjimnazin e Kumanovës.

Ai ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, militanti i përkushtuar i luftës çlirimtare Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë.

Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.

Në periudhën kohore prej fillimit të majit e deri në mbarim të gushtit të vitit 1998, Ismet Jashari – “Kumanova”, Fatmir Limaj, komandant “Çeliku”, Haxhi Shala, i njohur si komandant “Topi”, Shukri Buja, i njohur si komandant “Sokoli” e shumë luftëtarë të tjerë të dalluar, kanë përforcuar të gjitha pikat ushtarake në pjesën jugore të Drenicës, prej Llapushnikut e deri në Qafë të Duhlës, prej Arllatit e deri në Bllacë dhe prej Komoranit e deri ne Blinajë.

Në ofensivën serbe të 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, në Grykë të Llapushnikut dhe në fshatin Zborc afër Grykës së Carralevës, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij, si: Imer Alushani, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Ali Zogaj, Habib Zogaj e shumë të tjerë, ka luftuar heroikisht në mbrojtje të pozicioneve ushtarake të UÇK-së.

Emri i komandant “Kumanovës” asokohe ishte bërë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë jo vetëm në Drenicë e Llapushë, por në mbarë Kosovën.

Fakti se për çlirimin e Kosovës luftonin edhe trimat nga Kumanova e nga Tetova, përforconte moralin e ushtarëve dhe të popullatës, e cila, për të mbijetuar sulet e granatave të armikut, kishte gjetur strehë në pyje e në gryka malesh.

Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjithat masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës.

Atë ditë forcat serbe kishin granatuar me të gjitha llojet e armëve të rënda të artilerisë pozicionet e komandant “Kumanovës”, i cili printe në ballë të kundërsulmit mbi forcat armike.

Në mbrojtje të pozicioneve ishin rreshtuar luftëtarët më të dëshmuar, meqë pika ku armiku bënte përpjekje për të depërtuar në drejtim të Kleçkës ishte me shumë rëndësi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, forcat serbe kishin sulmuar edhe në drejtim të Tërpezës, të Bllacës e të pikave të tjera përreth Kleçkës.

Më 24 gusht 1998, forcat armike kishin shtuar rrezen e sulmit duke sulmuar me topa të kalibrave të mëdhenj dhe me raketa tokë-tokë.

Pika ushtarake në Bajrak nuk po binte, edhe pse bunkerët po digjeshin flakë. Në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, mirëpo, luftëtarët militantë, Gani Kastrati dhe Afrim Buëaj nuk kishin arritur të tërhiqeshin.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë.

Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari, komandant Kumanova.

Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj. Në dhjetor të viti 1998, bashkëluftëtarët e komandant “Kumanovës” ndërmarrin një aksion në afërsi të fshatit Shirokë të Therandës, nga ku arrijnë ti tërheqin trupat e pesë dëshmorëve, të cilët i varrosin me nderime ushtarake, në Kleçkë.

Këta trupa, forcat armike i kishin dërguar në Shirok, në përpjekje për tua humbur gjurmët. Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova.

Dëshmori Ismet Jashari ka lënë pas shoqen e jetës, Habiben, dhe vajzat Marigonën, Monikën, Donikën, Margaritën dhe Artanën. Rrugën e Ismetit e vazhdoi vëllai i tij i madh, Xhemajli, i cili gjatë luftës çlirimtare në ish-RJM ka kryer detyrën e shefit të mobilizimit në brigadën 113 “Ismet Jashari – Kumanova”, që ka vepruar në rrethinën e Likovës deri në mbarim të luftës.

Për ta nderuar dhe përjetësuar veprën heroike të komandant “Kumanovës” bashkëluftëtarët e tij ia kanë ndërtuar shtatoren, e cila është vendosur në vendin e caktuar në Prizren, afër Shtëpisë-Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.