Kosovaren e aksidentuar e nxjerrin përmes derës së bagazhit

Të premten në Knittelfeld të landit austriak Steiermark zjarrfikësit janë detyruar ta nxjerrin nga makina një drejtuese 19-vjeçare të makinës së aksidentuar, shkruan krone.at.

Vetura e saj, pas humbjes së kontrollit, nga shkaqe të panjohura është përplasur dhe ka dalë jashtë rrugës, transmeton albinfo.ch. Me atë rast makina është përmbysur nga ana e timonit, duke ia bërë të pamundur ngasëses, një kosovareje 19 vjeçe, që të dalë prej aty.

Pak minuta pas marrjes së alarmit, në vendin e ngjarjes kanë ardhur zjarrfikësit, Kryqi i Kuq, mjeku i emergjencës dhe policia nga lokalitetet Knittenfeld, Apfelberg etj.

“Mënyra më e shpejtë për të shpëtuar 19-vjeçen ishte ajo përmes derës së bagazhit”, ka thënë për mediat një drejtues i ekipit të zjarrfikësve.

Kosovarja e aksidentuar ka pësuar lëndime të lehta dhe është transportuar në spital për trajtim mjekësor, përcjell albinfo.ch. Rruga, si pasojë e aksidentit ka qenë e mbyllur përgjatë një ore.