23 vjet nga rënia e dëshmorëve, Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala

Sot bëhen 23 vjet nga rënia e dëshmorëve të kombit, Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala, të cilët me 31 maj 1999 bien heroikisht duke luftuar ballë për ballë me forcat serbe, shkruan Fokusi.info.

Xhemajli dha kontribut të jashtëzakonshëm në mbledhjen e fondeve për luftën. Shumë shpejt atë e gjejmë ndër përfaqësuesit kryesorë të Fondit “Vendlindja Thërret” për diasporë, por edhe për sigurimin e armatimit nëpërmjet disa linjave të tij, por nuk u mjaftua vetëm me kaq, sepse ditën që të jetë në vijat e para të frontit, përkrah luftëtarëve trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte pritur me vite.

Pranvera e vitit 1999, e gjen në radhët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, ku tregon guxim e heroizëm të rrallë, në thyerjen e kufirit të dhunshëm ndër-shqiptar. Ishte anëtar i Shtabit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të Zonës Operative të Dukagjinit, përgjegjës për sektorin e zbulim-kundërzbulimit, zëvendëskomandant i Trupave Komando “Delta” të kësaj brigade dhe komandant i Togut të Parë.

Bashkëluftëtarët e kujtojnë si trim të paepur e organizator të shkëlqyer, i cili kurrë nuk ka bërë dallime ushtarë-eprorë, por gjithnjë ishte i sigurt në vetvete, gjakftohtë e sypatrembur në situata të rrezikshme me armiqtë.

Në vijën e parë të frontit, Xhemajli me tërë forcën u përpoq për zgjerimin e radhëve të luftëtarëve të lirisë dhe bashkimin e tyre në një front të përbashkët në luftë për liri. Gjithmonë ishte shembull me shembullin e tij personal. Gjithmonë ishte në vijat e para të frontit. Ishte i suksesshëm në një varg aksionesh si në luftën frontale ashtu edhe në prapavijën e armikut. Njësia e komanduar nga Xhemajl Fetahaj ishte e pazëvendësueshme në luftë.

Që në ditët e para të sulmit kundër forcave serbe në Koshare, Xhemajli disa herë kishte hyrë në brendi të territoreve të armikut. Vlen të përmendet aksioni i ndërmarrë ditën e tretë të sulmit në Koshare, më 12 prill 1999, kur forcat serbe ishin të pozicionuara në dy shtëpi. Njësiti i UÇK-së i drejtuar nga Xhemajl Fetahaj me një sulm rrufe i asgjësoi tërësisht forcat serbe. Xhemajli me njësitin e tij ishte pararojë në luftimet e zhvilluara në Koshare, si në karakollin e Koshares, si në luftimet e zhvilluara te Rrasa e Koshares, si në Gomure, në Ujëz te Rrasa e Zogut, ku forcat serbe pësuan humbje të mëdha. Janë të njohura deklarimet e tij të jashtëzakonshme për luftën për liri, të dhëna nga fronti i luftës në Koshare për mediet e huaja, të cilat kanë mbetur si testament i lirisë.

Dita e përjetësisë për Xhemajlin po afronte bashkë me përfundimin e luftës tejet të pabarabartë. Më 27 maj i kishte mbushur 35 vjet. Më 31 maj 1999, ai niset në vëzhgim me një grup bashkëluftëtarësh (Cenë Aliçkajn, Florim Matajn, Xhevdet Matajn e Milazim Shalën). Ata ishin nisur drejt Rrasës së Zogut, drejt majës më të lartë, ku bashkohen tokë e qiell… Te “Maja e Zezë” hasin në forcat elite të ushtrisë jugosllave të ardhura nga Beogradi dhe ushtarakë rusë. Ata e asgjësojnë një bunker të forcave serbe. Xhemajli dhe Milazimi ishin vënë në rrethim të hekurt. Së pari në fushën e nderit bie Milazim Shala nga Baballoçi i Deçanit. Ai nuk e lë dot vetëm. Bie heroikisht në përleshje me forcat pushtuese serbe, për të mos vdekur kurrë.

Dëshmorët e kombit Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala janë dëshmorët e parë, që u varrosën dy javë pas rënies në Kompleksin e Dëshmorëve në Koshare.

Xhemajl Fetahaj është dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës”, nga Presidentja Atifete Jahjaga, me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.