26 komuna të prekura me koronavirus në Kosovë: 8 prej tyre janë futur në karantinë

Në Kosovë deri me tani janë konfirmuar 283 raste pozitive me koronavirus, ndërsa vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 33 raste, kështu duke bërë që të futen në karantinë 8 komuna të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.

Në Republikën e Kosovës aktualisht janë konfirmuar 283 raste me korona virus, 58 prej të cilëve janë shëruar dhe 7 kanë vdekur.

Nga 38 komuna të Kosovë, 26 janë prekur me koronavirus e tetë nga to aktualisht janë në karantinë.

Komuna që me së shumti është prekur nga koronavirusi është Malisheva, e cila kryeson me 65 rate të konfirmuara deri tash.

Pas saj vijnë, Prishtina me 46 raste të konfirmuara, Mitrovica e Veriut me 22, Vushtrria me 21, Ferizaj me 20.

Tetë nga këto komuna janë futur në karantinë, si masë parandaluese për mos përhapjes se koronavirusit.

Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, komunat të cilat kanë hyrë në karantinë janë: Prishtina, Ferizaj, Malisheva, Klina, Vitia, Suhareka, Zveçani dhe Mitrovica e Veriut.

Ndërsa, dje ka paralajmëruar edhe kryetari i Prizrenit, Mytahir Haskuka, se edhe kjo komune mund të futet në karantinë, nëse rastet me koronavirus vazhdojnë të rriten.

Vlenë të theksohet se vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 33 raste të reja me koronavirus në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të ditur se deri me tani janë bërë 3.006 teste, ndërsa kanë rezultuar pozitiv gjithsej 283, ndërsa 7 raste kanë përfunduar në fatalitet të cilat kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

“Nga data 08 shkurt deri më 11 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.006 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e tetëdhjetë e tre (283) me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.273 kontakte të rasteve.” , thuhet në njoftimin që IKSHPK ka bërë mbrëmë.