4 marrëveshjet që pritet të nënshkruhen në Procesin e Berlinit më 3 nëntor

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit që do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.

Ai dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal dhe operacionalizimin e tij.

Në këtë samit sigurisht që do të jenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësues të lartë të shtetit serb, këtë rast presidenti Aleksandër Vuçiq.

Gazeta Blic nga burime diplomatike ka kuptuar se në këtë takim pritet të nënshkruhen disa marrëveshje, në kuadër të Samtit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Procesin e Berlinit.

Me 3 nëntor në këtë takim do të nënshkruhen 4 marrëveshje:

1. Marrëveshja për lëvizje me Karta të Identitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor;
2. Marrëveshja për njohje të diplomave;
3. Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve;
4. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes për personat e vendeve të treta me leje qëndrim në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gazeta Blic ka tentuar të konfirmoj nëse këto marrëveshje do të jenë në agjendën e 3 nëntorit dhe nënshkrimi i tyre, por askush nuk ka konfirmuar agjendën dhe nëse këto marrëveshje do të nënshkruhen.

“Takimi i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj sepse ne nuk mund të parashikojmë përmbajtjen e bisedimeve. Për detaje të tjera rreth takimit do të njoftojmë me kohë”, ka thënë një zyrtar i lartë pa dashur t`i përmendet emri.

Ditë më parë Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se sot do të jetë preludi i një sërë konferencash të nivelit të lartë të organizuara nga Gjermania për t’i dhënë një vrull të ri Procesit të Berlinit.

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel. Ai shërben si një platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve të lartë zyrtarë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (ËB6) dhe kolegëve të tyre në vendet pritëse të Procesit të Berlinit.

“Gjermania do të jetë mikpritëse e Samitit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor më 3 nëntor, i kryesuar nga kancelari Olaf Scholz”, thuhet në njoftimin e Ambasadës gjermane në Kosovë.

Për t’i paraprirë këtij takimi, disa takime ministrore do të mbahen në Berlin:

Më 20 tetor 2022 – Takimi i Ministrave të Punëve të Brendshme

Më 21 tetor 2022 – Takimi i Ministrave të Jashtëm

Më 24 tetor 2022 – Takimi i Ministrave të Energjisë

“Në agjendën e këtyre takimeve ka tema si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, klima dhe agjenda e gjelbër, Tregu i përbashkët rajonal, siguria kibernetike, tranzicioni i energjisë dhe zgjerimi i energjive të rinovueshme në Ballkanin Perëndimor. Gjermania është i gatshëm të marrë drejtimin dhe është e vendosur fort për ta bërë samitin një sukses”, ka theksuar Ambasada gjermane në Kosovë.

Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt më 5 korrik të vitit 2021, nën udhëheqjen e ish- kancelares gjermane, Angela Merkel.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.