Stoltenberg: Drafti i Asociacionit hap i rëndësishëm për ta çuar dialogun në drejtim konstruktiv

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur se propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që është bërë nga aleatët ndërkombëtarë, është një hap i rëndësishëm përpara për ta çuar dialogun në një drejtim konstruktiv.

Stoltenberg para takimit me ministrat e jashtëm të NATO-s, u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë të përmbahen nga retorikat nxitëse dhe të mos marrin ndonjë veprim që i rrit tensionet.

Ai ka thënë se është parë dhunë serioze në veri të Kosovës dhe për këtë arsye NATO ka shtuar edhe 1000 trupa në misionin KFOR. Ai ka thënë se do të shikohet të rritja e qëndrueshme e kontingjentit në KFOR.

“Sapo vizitova Kosovën, Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe takova liderët nga i gjithë rajoni. Dhe mesazhi im është se sigurisht NATO do të bëjë çdo gjë që është e nevojshme për ta ruajtur stabilitetin në këtë rajon. Është e rëndësishme për NATO-n. Ne kemi një histori atje. Dhe vetëm sa kemi rritur prezencën tonë në Kosovë për 1000 trupa shtesë. Por, ne tashmë kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm, me rritjen e pranisë sonë. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dhe ne gjithashtu besojmë se propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara për ta çuar këtë dialog në një drejtim më konstruktiv. Mesazhi im përsëri, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, ishte që të dyja palët duhet të përmbahen nga retorikat nxitëse dhe natyrisht të mos kryejnë asnjë veprim që mund të rrisë më tej tensionet në rajon”, tha Stoltenberg.