4 vite nga pranimi i Kosovës në UEFA – historik i shkurtër suksesesh

Sot shënohet katër vjetori i pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, në shtëpinë më të madhe të futbollit në Evropë, UEFA.

Më 3 maj të vitit 2016, në Kongresin e mbajtur në Budapest, UEFA i dha fund izolimit të futbollit kosovar, duke e pranuar Kosovën si anëtarën e 55-të të saj, shkruan lajmi.net.

Me besimin e 28 shteteve anëtare, 24 votave kundër dhe 2 abstenimeve, kosovarët realizuan ëndrrën që e prisnin për shumë vite. Futbolli kosovar u ndërkombëtarizua në Budapest, përkundër një fushate kundërshtuese të ashpër nga fqinji ynë verior. Puna e kryetarit legjendar të FFK, Fadil Vokrri, kurorëzohej atje.

Pas pranimit në UEFA dhe punës fenomenale të heroit Fadil Vokrri, te kombëtarja e Kosovës do të vinte radha për disa heronj të tjerë. Fillimisht, ishte Albert Bunjaku, ai që konsiderohet si arkitekti i kombëtares që bëri një punë të palodhshme për të afruar lojtarë e për të ndërtuar një themel për ‘Dardanët’. Emra të njohur si Samir Ujkani, Valon Berisha, Milot Rashica, Bersant Celina e të tjerë, do t’i bashkoheshin Kosovës në vitet pasuese, shkruan lajmi.net.

Kualifikueset e Botërorir 2018 nuk do të shkonin më së miri për kombëtaren e Kosovës, që asokohe vetëm sa ishte duke bërë hapat e parë në futbollin ndërkombëtar. Me vetëm një barazim në ato kualifikuese, Albert Bunjaku vendosi të hiqte dorë nga posti i trajnerit, për të lënë radhën e Bernard Challandes, njeriu që edhe sot është në krye të stolit, e që po bën një punë të mrekullueshme.