40 viktima nga tërmeti! Nxirren të gjithë personat nga rrënojat në Thumanë, vijojnë kërkimet në Durrës për 6 persona

40 persona të vdekur, 658 të plagosur dhe dhjetëra të shpëtuar! Ky është bilanci tragjik i tërmetit të së martës (26.11.2019) në orën 03:54 minuta.

Kur kanë kaluar më shumë se dy ditë, në Thumanë, vendi ku ka pasur më shumë viktimave, janë ndërprerë kërkimet pasi personat e raportuar nga familjarët si të humbur janë gjetur, edhe pse të pa jetë.

Në Durrës, kërkimet vijojnë në zonën e ish-Kënetës dhe në pallatin 6 katëshe në lagjen numër 18, pranë Kryqit të Kuq.

Shpëtimi i personave nën rrënoja ditën e sotme është bërë edhe më i vështirë për shkak se gjatë mesditës dhe pasdites janë regjistruar tre lëkundje të tjera të mëdha, duke rizgjuar panikun tek banorët në qytetin e Durrësit, por lëkundjet janë ndjerë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.

Referuar deklaratës së kryeministrit Rama, një pjesë e konsiderueshme e banorëve që kanë mbetur në qiell të hapur, por edhe atyre që nuk rikthehen në shtëpitë e tyre për shkak të frikës, janë akomoduar në hotele, teksa nuk kanë munguar edhe vullnetarë që kanë hapur dyert e shtëpive të tyre nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.