58 raste të reja, Kryeministri Hoti: Gjendja është serioze, nëse vazhdon kështu do i kthejmë masat

Sot në Kosovë janë regjistruar edhe 58 raste të reja me koronavirus. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se situata me koronavirus në Kosovë është alarmante.

Hoti tha se nëse vazhdon rritja e numrit të të prekurëve duhet t’i kthejmë përsëri masat.

“Nëse nuk vetëdijesohemi t’i respektojmë masat, atëherë do t’i kthejmë masat që kanë qenë më herët. Bëj apel tek secili qytetar, ky rezultat që është arritur, nuk duhet të hidhet poshtë me pakujdesi, ne duhet të kthehemi në jetën e përditshme por është tepër e rëndësishme të respektohen udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë”, tha Hoti para mediave.

Kryeministri Hoti tha se ditët e fundit ka pasur rritje të rasteve dhe nëse ky trend i mos-respektimit të rekomandimeve të IKSHPK’së vazhdon, atëherë mund të kthehen masat e izolimit.

“Po bëhet punë kolosale për ta sjellë situatën nën kontroll me masa ekstreme të izolimit që na kanë kushtuar si ekonomi. Kjo pandemi ka marrë jetë njerëzish, janë lehtësuar masat javëve të fundit dhe kanë sjellë këtë rezultat ditët e fundit. Situata është alarmante”, tha Hoti.