8 muaj burgim për vozitësin që goditi këmbësoren

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit F.A për veprën penale Rrezikimi i trafikut publik nga neni 378 par.8 lidhur me par.6 dhe par.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari F.A është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) muajsh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak. Të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalimi i drejtimit të automjetit në afat prej 2 (dy) vitesh.

I akuzuari F.A është akuzuar nga Prokuroria pasi që në vitin 2016 kishte drejtuar automjetin pa qenë i pajisur me patent shofer dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës kishte kaluar në trotuar dhe kishte goditur të dëmtuarën D.P duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Kundër këtij aktgjykimi pala ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit të Kosovës.