90% e LDK-së nuk e kanë favorizuar koalicionin me Vetëvendosjen

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës deklaroi se dueli mes Presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është problemi kryesor i mos shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në këtë kohë pandemie.

Haziri në Rubikon të Klan Kosovës theksoi se tani jemi peng i egove politike dhe se u ka kërkuar politikanëve të mos kenë ego kur është në pyetje shteti .

“FSK nuk mund të dalë në rrugë dhe nuk mund të përfshihet në parandalim e pandemisë meqë nuk kemi shpallë gjendje të jashtëzakonshme, dueli mes Thaçit dhe Kurtit është problemi kryesor. Unë si kryetar komune dhe pjesëtarë i LDK-së nuk dua të hyjë këtu”.

“Ne e kemi Qeverinë si organ koordinues dhe prej aty i marrim vendimet, aty është diçka joligjore nuk e kam në plan me zbatu, mirëpo prap ne vendimet i marrim nga Qeveria”.

“Jemi peng i egove politike, nuk e meritojmë këtë që po ndodh sidomos në këtë kohë pandemie. Ju kam lutë shumë politikanëve që ta lënë të shtëpia egon politike e jo në shtet, nuk ish dashtë askush me pas komoditetin me shkel rendin kushtetues”.

Haziri ka folur edhe rreth shkarkimit të ministrit Agim Veliu, që mendohet të jetë njëra ndër arsyet kryesore që qoi në prishje të koalicionit.

“Ne për Glaukun kemi diskutu katër javë se qysh me rregullu shkarkimin si kryetar i Kuvendit, e kemi bë të mundur me gjetë vendin ku ai ndihet rehat e pas një kohe të shkarkohet nënkryetari nuk është në rregull”.

Haziri po ashtu deklaroi se 90% e LDK-së nuk e kanë favorizuar koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe pse nuk e ka refuzuar postin e ministrit.

“Agim Veliu ka punu dhe e ka mbështetë koalicionin, me pas fitu LDK si parti e parë do kishim bë rregulla tjera, Veliu e ka votu koalicionin – mirëpo 90% e LDK-së nuk e kanë pëlqy koalicionin nuk e kanë favorizu por ne kemi pas një lloj tolerance për koalicionin”.

“Unë nuk du me qenë pjesë e një kabineti që nuk e gjej vetën në të dhe nuk e shoh vetën si person që jep kontribut”.

“Më është ofru posti i ministrit por e kam refuzu – ju kam premtu njerëzve në Gjilan që do e qoj mandatin deri në fund”, deklaroi Haziri.

Haziri poashtu komentoi edhe përplasjen e kryeparlamentares Vjosa Osmani dhe deputetit Driton Selmanaj.

“Vjosa si kryeparlamentare ka pozitë të vështirë, por edhe si përfaqësuese e koalicionit që ka humbur besimin me 82 vota”.

“Kaniherë është më e lehtë me i mëshu shuplakë fëmijës tënd që të marrë vesh fëmija i mahallës. Driton Selmanaj është deputet i mirë dhe djalë i zoti, është truri ligjor i Kuvendit të Kosovës. Përvoja nga menaxhimi i Kuvendit të kaluar na ka dhënë mësim shumë edhe neve, por përseri nuk është e lehtë me i menaxhu 120 deputetë”.

Haziri mes tjerash tha se dallimet në mendime e bëjnë më të rëndësishëm debatin në Kuvend.