90 të vdekur dhe 150 të plagosur nga eksplodimi në Aeroportin e Kabulit, në mesin e viktimave 13 ushtarë të SHBA-së

Dy bomba të fuqishme kanë goditur perimetrin e Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul.

E gjithë kjo shkaktoi panik tek të gjithë afganët që pritnin që të evakuohet nga Afganistani kontrollin e të cilit e kanë marrë talibanët, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv,

Të paktën 90 persona kanë vdekur derisa 150 të tjerë janë lënduar. Kjo u bë e ditur nga punonjësit shëndetësor të Kabulit.

Pentagoni ka konfirmuar se nga të vdekurit janë edhe 13 shërbyes ushtarak të SHBA-së.

Bombardimet erdhën disa orë pasi qeveritë perëndimore kishin paralajmëruar qytetarët e tyre që të qëndronin larg aeroportit, për shkak të një kërcënimi të afërt të një sulmi nga ISIS, dega në Afganistan.

Eksplodimi i parë ndodhi rreth orës 18:00 me kohë lokale, pranë hotelit Baron dhe afër perimetrit të Aeroportit.

Hotel Baron po përdorej nga autoritetet britaneze për të proceduar afganët që prisnin që të udhëtonin për në Mbretërinë e Bashkuar.

Eksplodimi u përcoll edhe bashkë me gjuajtje të armëve, ndërsa eksplodimi i dytë ndodhi afër portës Abbey, një nga portat kryesore për hyrje në Aeroport.

Raportet thonë se shpërthimi i dytë ndodhi pranë një kanali të ujërave të zeza ku afganët po prisnin, afër portës dhe nga eksplodimi disa viktima u hodhën në ujë.

Një zyrtar amerikan tha se të paktën një sulmues kishte veshur një jelek shpërthyes.

Qytetarët amerikanë që kishin shkuar në zonën përreth aeroportit ishin paralajmëruar para sulmit që të “largoheshin menjëherë”.

Akoma nuk është konfirmuar numri përfundimtar i viktimave amerikane e afgane, duke përfshirë këtu edhe talibanët.